Krasniqi: Parandalimi i dhunës në familje të jetë prioritet shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas lajmit për vrasjen e arsimtares Sadije Godeni, nga bashkëshorti i saj.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të hartojnë për strategji të mirëfillta dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të luftuar fenomenin e dhunës në familje.
Më poshtë e gjeni të bashkëlidhur postimin e plotë të kreut të PDK-së, Memli Krasniqi:
Tragjik lajmi për vrasjen e arsimtares Sadije Godeni në Prishtinë. Një punonjëse e përkushtuar e arsimit, e cila tërë jetën ia kishte dedikuar edukimit të shumë brezave. Fatkeqësisht, pak para pensionimit të saj, ajo sot ishte viktimë e dhunës në familje, fenomen që po përsëritet pa pushim në vendin tonë.
Koha është jo vetëm për strategji të mirëfillta, por edhe për veprime konkrete institucionale për parandalimin e dhunës në familje. Ky duhet të jetë prioritet i shoqërisë dhe shtetit tonë – për të cilin duhet të reagohet urgjentisht. Familjes së arsimtares Sadije, kolegëve e miqve të saj, u shpreh ngushëllimet më të thella!
/Shqip.com