Krasniqi kujton 9 qershorin, thumbon pak Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, Kosova fitoi lirinë dhe Serbia kapitulloi më 9 qershor të vitit 1999.
Krasniqi ka deklaruar se bashkëpunimi me aleatët paraqet një dëshmi se bashkëpunimi me SHBA-të ka një bazë gjaku e historie.
“24 vite më parë, më 9 qershor 1999, Millosheviçi dhe Serbia u dorëzuan para luftës çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, duke u detyruar që të nënshkruajnë marrëveshjen e Kumanovës – për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Ky epilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmia më e madhe dhe shembulli më konkret, se aleanca dhe miqësia jonë, si popull dhe si shtet, me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori. Ky bashkëpunim, me UÇK-në nëpër tokë dhe NATO-n nëpër ajër, i dha fund një regjimi gjenocidal serb në Kosovë dhe jetësoi ëndrrën e dhjetëra brezave për liri”, ka shkruar kreu i opozitës.
Ai ka shprehur mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë, duke shtuar se së bashku me ta do të angazhohet në përmbushjen e të tjera synimeve të vendit, siç është anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB.
/Shqip.com