Lajme

Krasniqi: Kostoja e librave është trefishuar

Memli Krasniqi - Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Në mungesë kuorumi, seanca e jashtëzakonshme për librat në Kuvendin e Kosovës nuk ka filluar.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë një përjashtim duke i lejuar kryetarët e partive të flasin.

“Nuk ka numra që të fillojmë me seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo, po e bëjmë një përjashtim. Le të flasin vetëm kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konfjuca.

I pari fjalën e mori kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka quajtur të turpshëm dhe të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë për librat.

Ai ka pyetur ministren Nagavci nëse ka përfitime personale nga trefishimi i kostos së librave.

“Është për keqardhje që për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë çdo sesion me e fillu me seancë të jashtëzakonshme”.

“E kemi thirrë për diçka që as se kemi paramendua, që për herë të parë që na shpallja e Pavarësisë, shteti i ka lënë fëmijët pa libra”.

“Kjo është e turpshme. Kjo është e paligjshme. E kanë trefishu koston e librave, në vend që të ishte 4 milionë tash janë 12 milionë”.

“Prindërve ua kanë qitë një barrë të re. A din me na tregu kjo ministre a ka  përfitime personale nga trefishimi i kostos. A munden me na tregu pabarazinë fondamentale që disa nxënës janë me libra e disa pa libra”.

“Turp ju qoftë”, ka përfunduar ai.

/Shqip.com