Lajme

Krasniqi ia propozon qeverisë pesë masa për zbutjen e krizës ekonomike, përmend edhe Trustin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në foltoren e Kuvendit

Tërheqja e 30% e mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës është kthyer sërish si temë diskutimi në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke adresuar kritika ndaj qeverisë për gjendjen ekonomike në vend, ka propozuar disa masa të reja, që sipas tij do të ndihmonin në këtë krizë.

Një ndër masat është ajo e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.

“Ne kërkojmë nga qeveria t’i marrë pesë masa: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha produktet esenciale për gjashtë muaj, të lirohen për gjashtë muaj nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSH-ja dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti”- ka thënë ai.

Trusti

Theksojmë se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, është iniciues i nismës për ndryshim-plotësimin e Projektligjit për Kursimet Pensionale që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Projektligji për Trustin është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër dhe një pjesë e deputetëve të opozitës kanë munguar në seancë./SHQIP.com