Lajme

Krasniqi: Eja kryeministër të shkojmë në Veri, lehtë e ke me fol prej Prishtinës

Memli Krasniqi - Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj situatës në veri të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se pa u koordinuar me aleatët, Kurti ka nisur një “veprim avanturesk” në veri.

“Në vend se me u sill si kryeministër sillesh si gazetar mediokër i një televizioni shtetëror dhe nuk di asnjë fjalë të tregosh se çka do të arrish me këto qëndrime. Ty ndoshta të duket mirë të dalësh të thuash mos u besoni mediave por ky popull meriton ndryshe pak më shumë përkushtim respekt e dinjitet. Të gjithë janë të shqetësuar me situatën në veri të vendit.

Zgjedhjet janë mbajtur në veri për shkak të gabimeve të tua. Për shkak të një vendimi tëndin për targa ndaj të cilit në fund je tërheqë siç tërhiqesh gjithë. I keni shty zgjedhjet për 23 prill pse, se e keni pasur qëllimin të merreni vesh me Vuçiqin. E keni shty 4-5 ditë afatin me ja dhanë mundësinë Listës Serbe me marrë pjesë edhe nuk iu mori pjesë”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se Kurti nuk e ka përvojën që ta menaxhojë atë situatë, e as të merret me komunat në veri.

“As kryetarëve s’ju keni kallëzu që keni me i çu në zyrë. Është marre me u tut s’ke pas nevojë me u tut është dashur të koordinohesh. Ju është dashur tërë jetën tuaj të punosh fshehtë. E ke mshel një kryetar si Oso Kukën atje, qe 4-5 ditë pa mujt me u pastru. Pse nuk po e çoj Erden Atiqin. Ti Mitrovicën e ke pa për hërë të parë qetash”, tha Krasniqi.

Ai ka sfiduar Kurtin duke i thënë që në vend se të flasë nga Prishtina, të shkojnë bashkë në veri te kryetarët e zgjedhur.

“Me pancir me polici me i bo dy foto me Ilirin e Izmirin. Bashkërendim the me ndërkombëtar. A po rrejnë ata a? Nëse ti je tu e kallzu të vërtetën ata janë tu rrejtë i madh e i vogël. Është e drejtë me i çu në punë por nëse kostoja është rrezikimi i raporteve me aleatët nëse kosto janë ndëshkimet a bën me e ditë a mendon që ia vlen? Nëse mendon që këta duhet me shku pse s’po shkon ti. Hajde po shkojmë unë e ti bashkë a guxon? Lehtë e ke prej Prishtinës hajde shkojmë bashkë në veri hijmë na në zyre rrijmë bashkë me të”, ka thënë Krasniqi para deputetëve.

/Shqip.com