Lajme

Krasniqi dhe shefi i EULEX-it diskutojnë për zhvillimet politike në Kosovë

Memli Krasniqi në takim me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njofton se të premten ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark.

Siç njoftoi Krasniqi, në takim është diskutuat për zhvillimet politike në vend si dhe për angazhimin monitorues të këtij misioni në fushën e sundimit të ligjit, përcjell Shqip.com.

“Republika e Kosovës ka ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të drejtësisë, strukturalisht të shtrirë në të gjithë vendin, profesionalisht në ngritje e sipër si dhe të vendosur mbi parime të qarta të një shteti të drejtë.

Fuqizimi, mbështetja dhe profilizimi i mëtejmë i këtij sistemi, është detyrë e mision i përbashkët i të gjithë neve”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook.

Gjatë ditës, Krasniqi po ashtu ka pritur në takim përfaqësuesit e Institutit Ndërkombëtar Republikan me të cilët ka biseduar për punët dhe aktivitetet që kanë bërë në Kosovë, “duke ndihmuar partitë politike në avancim të demokracisë dhe në ngritje të kapaciteteve”.

“Bashkë u pajtuam për të thelluar bashkëpunimin e nisur shumë vite më parë ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe kësaj organizate të respektuar amerikane”, ka bërë të ditur ai.

Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës më 3 korrik./SHQIP.com