Lajme

KQZ-ja thotë se numri i votuesve në komunat në Veri është rritur natyrshëm

Veriu i Kosovës / Ilustrim
Veriu i Kosovës / Ilustrim

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka dhënë disa sqarime “që janë ngritur në opinion kohëve të fundit”.

Elezi tha se lista votuese është rritur për 1461 votues. Sipas tij, kjo ndodh kur përfshihen personat që kanë mbushur 18 vjet pas zgjedhjeve të fundit, ose persona që nuk kanë qenë më herët në listë votuese, apo votues që kanë ndërruar komunë.

Elezi tha se kjo është rritje e natyrshme.

Ai ka dhënë një sqarim edhe lidhur me “deklarimin se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve rezident”.

“Lidhur me çështjen e votuesve në procesin e votimit më 21 prill më duhet të sqaroj disa çështje që janë ngritur në opinion kohëve të fundit. Së pari KQZ ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e listës votuese për procesin e votimit të 21 prillit. Sipas vendimit të KQZ për certifikimin e listës së votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është 46 mijë e 556, apo 1461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023. Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjet pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill apo persona që më herët nuk kanë qenë në listë votuese, apo votues që kanë ndërruar komunë pas atyre zgjedhjeve. Sqarojmë se kjo është një rritje e natyrshme e numrit të votuesve siç ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin. Gjithashtu, lidhur me deklarimin se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve rezident sqarojmë se lista e votuesve nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit”, tha Elezi.

Kujtojmë se të dielën në një konferencë për media, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, njoftoi se nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë të katër komunave veriore të Kosovës.  Ndër të tjerash, Elek tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit, se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

/Shqip.com