Kulturë Kino

Kostoja menaxhuese e teatrit ODA e pamjaftueshme, detyrohen të largojnë punëtorë

Teatri ODA

Kostoja e menaxhimit të Teatrit ODA është duke u konsideruar e pamjaftueshme dhe si e tillë ka ndikuar edhe më ndërprerjen e kontratave për disa punëtorë teknik, që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Në lidhje me këtë në një përgjigje me shkrim për SHQIP.com, Florent Mehmeti – drejtori i teatrit ODA, ka thënë se ky teatër gjendët përballë shumë telasheve si në organizimin e stafit, organizimin e orarit dhe të programit, ashtu edhe në telashe të mëdha sa i përket mbulimit të kostos operative të menaxhimit të hapësirës.

“Përderisa asistenca e autoriteteve publike ka munguar tërësisht, ne jemi ballafaquar edhe me situata të ndërprerjes së kontratave me punëtorë teknikë, por edhe shkurtime tjera për shërbime të veçanta”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se Teatri ODA operon duke u bazuar në aktivitetin e vet të rregullt që e ushtron dhe si i tillë është çrregulluar në masë të madhe si pasojë e masave qeveritare anti-COVID në vazhdimësi.

Salla në teater

“Këto çrregullime janë shumë dimensionale: duke filluar nga çrregullimi i programit, në kuptimin e pamundësisë për të shfaqur programin publik, ku dëmi nuk është vetëm në fazat kur është ndaluar apo kufizuar aktiviteti i teatrove, por çrregullimi vazhdon edhe për një periudhe edhe pas lejimit të aktivitetit”.

“Meqenëse natyra e organizimit të shfaqjeve kërkon kohë më të madhe për organizim, e aktivitetet e organizimit dhe planifikimit nuk mund të fillohen dhe konkludohen pa pasur qartësi të mundësisë së funksionimit, gjegjësisht kohën kur do të jetë e mundur shfaqja publike e programit”, ka shtuar ai.

Florent Mehmeti – drejtori i teatrit ODA


Mehmeti më tej, ka thënë se në bashkëpunim më Qendrën Multimedia janë duke planifikuar disa programe për muajt në vazhdim në hapësirat e teatrit ODA.

“Do të kemi repriza të shfaqjeve të kaluara si dhe produksione të reja si nga Qendra Multimedia, ashtu edhe nga Teatri ODA dhe organizime tjera të iniciativave tjera që do të zënë vend në programin tonë”, ka deklaruar ai.

Teatri Oda

Bazuar në historik, teatri i pavarur ODA është themeluar në fund të vitit 2002 me iniciativë të Lirak Çelajt – aktor, dhe Florent Mehmetit– regjisor.

Kjo ishte përgjigja e tyre ndaj kërkesave që qarkullonin në qytet nga artdashësit.

Një vit më vonë, më 1 mars 2003, nisma u konkretizua dhe në skenën u shfaqë “Monologët e Vaginës”. Objekti i teatrit u promovuar më 5 janar 2004.

Shfaqje në teatrin ODA

Nevoja e sigurimit të ekzistencës dhe vetë qenia në treg bëri që drejtuesit e objektit njëherë edhe të teatrit të zgjedhin rrugën pakësa jashtë atyre të zakonshme. Ata filluan që objektin e tyre ta lëshojnë edhe për shfaqje nga kompani tjera teatrale.

Kështu, që nga ajo kohë teatri ODA përpos produksionit të vet, ka pasur në skenën e saj edhe trupa mysafire jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe rajoni i Ballkanit në përgjithësi, si dhe nga Evropa dhe SHBA.

Ky bashkëpunim i teatrit ODA solli me vete edhe anëtarësimin në rrjetit më të madh të teatrove në Evropë i quajtur Informal European Theatre Meeting – IETM dhe anëtare e rrjetit Ballkan Express (rrjet i teatrove të rajonit të Ballkanit).

Me kalimin e kohës objekti i teatrit filloi të përdorej edhe për zhvillime të tjera kulturore jashtë hapësirës së thjeshtë të shfaqjeve teatrale dhe kështu të shndërrohet në një shtëpi kulture.

Shfaqje në teatrin ODA

Tani në objektet e teatrit mbahen edhe ngjarje promovuese kulturore, koncerte, por nuk mungojnë edhe xhirime filmike të emisioneve, serialeve artistike apo videoklipave.

Hapësira kulturore që mbulonë kjo shtëpi kulturore përfshinë edhe artin figurativ, rezultatet e të cilit shfaqen në galerinë e saj. /SHQIP.com