Lajme

Kosovë, liberalizimi i vizave-shpërthejnë kërkesat për azil! Franca, destinacioni kryesor!

“Kush del i fundit, të fikë dritat”…Komente si ky patën shoqëruar lajmin se kosovarët do të mund të udhëtonin pa viza nëpër vendet e zonës Schengen nga 1 janari i këtij viti, kujton REL.

Që nga muaji prill i vitit të kaluar, kur u dha njoftimi, liberalizimi i vizave ishte parë me shqetësim nga organizatat joqeveritare në Kosovë, të cilat i druheshin “një përkeqësimi të ikjes së trurit”.

Instituti për Studime të Avancuara, GAP, raportonte se gati 30 për qind e qytetarëve të Kosovës planifikonin të emigronin nga vendi pas liberalizimit të vizave. Të dhënat e Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, tregojnë se ka pasur vërtet një rritje të numrit të aplikimeve për azil në BE.

Nga janari deri në korrik të këtij viti, mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar cdo muaj azil në vendet e Europës, shifër kjo ndjeshëm më e lartë se mesatarja e gjashtë viteve të kaluara. Numri më i lartë i këtyre kërkesave u regjistrua në maj, me gjithsej 765 të tilla. Pjesa më e madhe ishin bërë në Francë. Kjo e fundit rezulton të ketë qenë destinacioni kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE që nga viti 2018, kur për herë të parë i zuri në këtë listë vendin Gjermanisë, të cilën kosovarët e patën kërkuar ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të procedurave të lehtësuara për punësim.

Por, pasi procedurat lejojnë marrjen e vizës së punës përmes një shorti, në kërkesat për azil nuk përfshihen këta persona. Liberalizimi mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.

/Shqip.com