Lajme

“Kosova u vonua me reciprocitetin, Serbia të ndalojë së kërkuari trajtim special”

Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips

Vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 20 shtator për të vendosur masën e reciprocitetit për targat e veturave të Serbisë, Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips po e sheh si të vonuar.

Megjithatë, sipas tij, masat e marra nga Kosova janë plotësisht të drejta, ndërsa ka thënë se “reciprociteti është ndër parimet kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Lexo edhe:
Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e qetë

“Qeveria e Kosovës ka të drejtë të kërkojë targa të Kosovës për makinat që vijnë nga Serbia. Nëse Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim, ai është se kanë pritur shumë gjatë për këtë vendim”, ka deklaruar Phillips për RTV Dukagjinin.

Madje, ka thënë se Serbia duhet të ndalojë së kërkuar trajtim special nga bashkësia ndërkombëtare.

“Standardet e dyfishta nuk janë të zbatueshme. Forcat e KFOR-it janë aty për ta ruajtur stabilitetin, dhe ata duhet të bëjnë me dije se agresioni nga shteti serb nuk do të tolerohet më”.

KFOR-i në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Të shtunën e 2 tetorit janë zhbllokuar rrugët në afërsi të dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë. Për 13 ditë këto rrugë ishin të bllokuara nga serbët lokalë të cilët po kundërshtonin vendimin e Kosovës për reciprocitet.

Sipas atij vendimi, makinat me regjistrim të Serbisë duhej të hiqnin targat në hyrje të Kosovës, dhe të merrnin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori u larguan barrikadat dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës – ku u vendosën trupat e KFOR-it.

Pika dy e kësaj marrëveshjeje parasheh që nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme./SHQIP.com

Marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel mbi reciprocitetin e targave