Kosova përfshihet nga reshjet, borë dhe erëra të furishme, temperatura deri në -5 gradë Celsius
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me shi.
Në zonat malore parashikohen reshje bore, ndërsa edhe në disa pjesë reshjet e borës mund të përfshijnë edhe zonat mesatare.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius.
Ndërkaq, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ditë më parë në parashikimin javor të motit ka njoftuar se e premtja do të karakterizohet me reshje shiu të cilat vende-vende do të jenë të intensitetit të shtuar dhe erëra të furishme jugore nga 15 – 25 m/s, të cilat mund të vështirësojnë veprimtaritë normale të qytetarëve.
Orët e pasdites pritet që drejtimi i erës të ndërrojë kahje veriore, me ç’rast reshjet e shiut do të shndërrohen në të borës, e cila mund të krijoj shtresa edhe në nivelet e ulëta urbane.
Fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme do të jetë me acar tipik dimëror dhe temperatura të ulëta nën mesataret e periudhës.
/Shqip.com