Lajme

“Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë” – Bëhen një vit nga arrestimi i Thaçit dhe Veselit

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Të premten e 5 nëntorit janë bërë një vit prej arrestimit nga Gjykata Speciale të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Duke qenë se Thaçi ishte themelues i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa Veseli kryetar i saj deri sa iu konfirmua aktakuza nga Specilja, kryetari aktual i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka bërë një shkrim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në profilin e tij, ka shkruar se “Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë”.

Siç ka shkruar ai, Thaçi e Veseli “bashkë me shokët e tyre çlirimtarë do ta shkruajnë edhe fitoren e kësaj beteje të fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj”.

“Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e me shokët e tyre çlirimtarë, që bashkë me gjithë popullin, ndërruan epoka dhe shkruan rrëfimin e jashtëzakonshëm e madhështor të mosnënshtrimit, të lirisë dhe të pavarësisë. E do ta shkruajnë edhe fitoren e kësaj beteje të fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi po konsideron se historia kurrë nuk mund të ndryshohet “nga askush dhe as të tjetërsohet e vërteta e luftës çlirimtare”.

Sipas Krasniqit, lufta ka qenë e “drejtë dhe e pastër qelibar”.

Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita e presidentit, ndërsa Kadri Veseli nga të gjitha funksionet politike të cilat i ushtronte në PDK dhe në Kuvendin e Kosovës.

Bashkë me Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, më vonë atë ditë Thaçi e Veseli u nisën për në Hagë për t’u përballur me akuzat e Tribunalit të Specializuar.

Aktakuza kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020./SHQIP.com