Kosova dhe Tajlanda drejtë heqjes së vizave

Në 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Kosova dhe Tajlanda po planifikojnë të heqin regjimin e vizave për qytetarët e dyja vendeve.
Kështu shkruan mediumi ‘Bangkok Post’, raporton shqip.com
Në intervistën e dhënë për këtë medium, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Bangkok, Ulpiana Lama, ka deklaruar se dyja vendet kanë rastin e mirë për të çuar lidhjet në një nivel me të lartë.
“Të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera siç janë, por ne duam t’i afrojmë njerëzit që të lidhen më afër me njëri-tjetrin”, tha ajo
Tajlanda dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike më 22 nëntor 2013, ndërkohë në vitin 2018, dyja vendet nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për një skemë të përjashtimit të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.
“Por tani ne duam ta avancojmë atë dhe ta shtrijmë atë në të gjitha pasaportat. Ne po punojmë me autoritetet tajlandeze dhe agjencitë qeveritare për të përjashtuar të gjithë qytetarët nga regjimi i vizave. Jemi në rrugën e duhur. Sigurisht që ka procedura dhe standarde që duhet t’i respektojmë dhe duhet të respektohen. Shpresojmë se shumë shpejt do të kemi lirinë e lëvizjes”, shtoi Lama.
E pyetur për numrin e kosovarëve që udhëtojnë në Tajlandë, ajo tha se në vitin 2015, numri ishte minimal, por në vitin 2019, pak para pandemisë Covid-19, numri ishte rritur për 30 herë.
“Për momentin, Tajlanda është destinacioni i tretë më i largët për qytetarët e Kosovës, por ambicia e ambasadës, duke pasur parasysh potencialin e madh të Tajlandës, është ta bëjë Tajlandën destinacion. Tajlanda është lider edhe në sektorin e mirëqenies së bashku me kulturën dhe mikpritjen e saj të mahnitshme, dhe kaq shumë bukuri. Kështu që ne duam që kjo t’i hapë këtë mundësi popullit të Kosovës”.
E pyetur për afatin kohor për heqjen e vizave, ajo tha se është çështje procedurale, por procesi i tejkalimit të pengesave ka filluar.
“Shpresojmë se do të jetë brenda një viti. Kosova është një portë për në Evropë dhe çmimi është shumë më i lirë, veçanërisht për turizmin dimëror”, tha ajo.
“Le të themi në Shqipëri, që është vetëm një udhëtim tre-orësh, si nga Bangkoku në Hua Hin. Kosova është një vend shumë interesant me një histori unike”, përfundoi e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Bangkok.
/Shqip.com