Sport Ndërkombëtar

Kosova barazon me Gjermaninë

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall U19 ka barazuar në ndeshjen e parë në kuadër të raundit preliminar të kualifikimeve për Euro 2023, që po zhvillohet në Shkup.

Dardanët e udhëhequr nga Suad Keçi barazuan kundër Gjermanisë, me rezultat 3:3.

Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi me golin e Odi Mehmetit, në minutën e 9-të. Loja e mirë e Dardanëve në këtë periudhë u kurorëzua edhe me golin e dytë, të cilin e shënoi Blend Krasniqi, duke shkuar në pushim me dy gola epërsi.

Megjithatë, pjesa e dytë nisi mirë për gjermanët, të cilët vetëm pas 25 sekondash realizuan nëpërmjet Nikolas Suton.

Pas pësimit të këtij goli djelmoshat e Keçit reaguan shpejt, duke e rikthyer epërsinë e dy golave, nëpërmjet Blend Krasniqit, në minutën e 22-të.

Mirëpo, gjermanët vazhduan me trysni në drejtim të portës së Kosovës dhe arritën të vendosin baraspeshën në rezultat me dy gola të shënuar brenda 50 sekondave, kur po luhej minuta e 27-të.

 Fillimisht realizoi Mats Niclas Schrade, derisa më pas Nikolas Suton shënoi golin e tij të dytë.

Me të njëjtin rezultat Gjermania ka barazuar edhe në ndeshjen e parë kundër Maqedonisë së Veriut, prandaj gjithçka rreth skuadrës që do të kualifikohet tutje do të vendoset të shtunën, në përballjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

/Shqip.com