Sport Shqiptar

Kosova 3×3 në qershor merr pjesë në kualifikimet për FIBA Europe Cup

Kombëtarja e Kosovës 3×3 do të marrë pjesën në kualifikime për FIBA Europe Cup që do të fillojë më katër qershor në Qipro.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka paraqitur lojtarët për t’i regjistruar për këtë kompeticion.

Në konkurrencën  e meshkujve janë paraqitur: Edmond Kryeziu, Rron Dahsyla, Arion Balluku, Visar Ejupi dhe Bardh Rexha, derisa në konkurrencën e femrave marrin pjesë Saranda Daci, Arbnore Përçuku, Marigona Rushiti, Irma Konjusha dhe Etna Rexhepi.

Federata e Basketbollit të Kosovës për Shqip.com e ka konfirmuar se katërshja finale do të përzgjidhet, para datës 27 maj.

“Nga këta emra do të selektohen 4 lojtarë, para datës 27 maj. Tek meshkujt janë lajmëruar më shumë lojtarë për shkak të telasheve që mund të kemi me viza, lëndime, obligime ndaj kombëtareve në basketboll 5 me 5”, thuhet në një prononcim për Shqip.com.

Sipas, FBK-së Kosova ka gjasa reale të arrijë në finale.

“Kosova ka gjasa të fitojë disa ndeshje, do të duhej të hynte ndër katër ekipet më të mira, në të dyja konkurrencat. Më pas , varet nëse ka duele me Qipron, që si ekip vendës, në të dyja konkurrencat është favorit. Sidoqoftë, është reale të pritet që ekipet kombëtare të Kosovës mund të paraqiten në finale të kësaj gare dhe aty të kërkojnë të drejtën për paraqitje në FIBA Europe Cup”.

Në këtë garë marrin pjesë edhe shtete si Qipro, Shqipëria, Andorra, Azerbajxhani, Irlanda, Luksemburgu dhe Malta në konkurrencën e meshkujve.

Kurse në konkurrencën e femrave pjesëmarrës janë: Qipro, Andorra, Irlanda, Luksemburgu dhe Malta.

Koordinatori i 3×3 Leart Hoxha dhe Menaxherja e Eventeve në FBK-së, Artina Hasani, janë përfaqësues zyrtarë të ekipeve përkatëse./Shqip.com