Sport Ndërkombëtar

Korea e Jugut mposht Portugalinë dhe kalon si e dyta nga Grupi H

Korea e Jugut ka arritur të marrë një fitore spektakolare me rikthim ndaj Portugalisë 2-1.

Portugezët e nisën më mirë sfidën, kur vetëm pas pesë minutash lojë kaluan në epërsi me golin e Ricardo Hortas pas asistimit nga Diego Dalot.

Por epërsia e evropianëve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 27-të rezultati i barazua në 1-1.

Cristiano Ronaldo bëri një asistim pa dashje te Young-Gwon Kim i cili nga afërsia realizoi për ta rikthyer Kombëtaren aziatike në lojë.

Me rezultatin baras 1-1 përfunduan 45 minutat e para në këtë ndeshje.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, por fundi ishte tejet dramatik me Korenë që arriti të shënonte golin e fitores.

Kapiteni i aziatikëve, Heung-Min Son bëri një asistim të mrekullueshëm te Hee-Chan Hwang i cili nga afërsia arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Hwang realizoi për t’i dhënë fitoren e parë Koresë së Jugut në Katar 2022.

Portugalia e mbyll Grupin H në vendin e parë me gjashtë pikë, derisa Korea mbetet e dyta me katër sosh duke kaluar në rrethin tjetër.

Në rrethin e eliminimit direkt, Portugalia do të përballet me vendin e dytë nga Grupi G, ku janë Kombëtaret si Brazili, Zvicra, Serbia dhe Kameruni.

/Shqip.com