Konjufca takoi një delegacion të Bundestagut gjerman
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, të drejtuar nga Josip Juratoviq.
Sipas komunikatës për medie të Kuvendit, në takim u diskutua për proceset aktuale në Kosovë, për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme.
“Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë, në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike.
Kryetari Konjufca vlerësoi se Gjermania ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të shtetndërtimit e të zhvillimit dhe potencoi rëndësinë e kësaj përkrahjeje në sfidat dhe objektivat që vendi ynë ka para vetes, në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Udhëheqësi i delegacionit të Bundestagut, Josip Juratoviq, duke falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, vlerësoi miqësinë midis dy vendeve derisa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen.
/Shqip.com