Konfiskohen 15 kilogramë marihuanë në Obiliq

Policia e Kosovës njofton se të premten mbrëma në fshatin Milloshevë të Obiliqit ka konfiskuar 15 kilogramë e 234 gramë substancë narkotike-marihuanë, një veturë dhe një telefon.
Konfiskimin e tyre thotë se e ka bërë gjatë kontrollimit të një veture për të cilën kishte pranuar informacion se po bënte transportimin e substancave narkotike.
“Fillimisht drejtuesi i veturës ka tentuar të ik me të vërejtur policinë, por falë edhe patrullës policore të trafikut, vetura është ndalur.”
“Gjatë kontrollit të veturës, në bagazh, janë gjetur tre thasë të mbushur me substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar 15 kilogramë e 234 gramë substancë narkotike-marihuanë, një veturë dhe një telefon”, thuhet në komunikatën për media.

Për rastin policia thotë se është njoftuar prokurorja kujdestare dhe gjyqtari i procedurës paraprake.
“Nga të njëjtit është marrë konfirmimin për urdhër-kontroll në dy adresa në Fushë Kosovë. Gjatë kontrollit në ato dy lokacione nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”.
I dyshuari K.T 35-vjeçar, me aktvendim të prokurores është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu dy të tjerë të dyshuar (të njohur policinë) janë në kërkim./SHQIP.com