Lajme

Komuna e Prishtinës vjen me njoftim për çmimet e reja të biletave në trafikun urban

Komuna e Prishtinës së fundi ka ardhur me një njoftim në të cilën përcaktohen çmimet e biletave për trafikun urban.

Në njoftimin e publikuar në faqen e tyre zyrtare thuhet se do të ketë zbritje për çmimin e biletës mujore kurse mund të pronetohen edhe biletat ditore, javore etj.

Krahas kësaj, ka një rritje prej 10 cent në biletën njëdrejtimëshe nga 40 sa ishte tani është 50 cent.

“Për të gjithë përdoruesit e rregullt, çmimi i biletës mujore nga 14.00€ do të zbresë në 13.50€. Në anën tjetër, për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe: • Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€, Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€ Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës ka treguar se ku mund të blihen kartelat javore dhe mujore.

“Kartelat javore dhe mujore mund t’i bleni në pikat e shitjes së Trafikut Urban: Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”), Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, (tek ”Banesat e Bardha”). Ndërsa, Biletat Ditore 24 orëshe dhe ato me një drejtim, mund t’i bleni si zakonisht në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal”.

Veç tjerash, potencohet se plani i ri tarifor do të aplikohet nga data 31 janar 2023.

/Shqip.com