Lajme

Kolegji i Evropës do të hapë kampus të ri në Shqipëri

Oliver Varhelyi, komisioner
Oliver Varhelyi, komisioner

Universiteti i preferuar i BE-së është para një zgjerimi ballkanik.

Komisioneri Oliver Varhelyi njoftoi se Kolegji i Evropës – terreni i trajnimit për eurokratët aspirantë – do të hapë një kampus të ri në Tiranë.

Kjo, në një shenjë se Shqipëria po i afrohet anëtarësimit në BE.

Lëvizja shihet nga ekspertët rajonalë si një përpjekje e bllokut për të rritur “pushtetin e tij” të butë në një rajon kyç gjeopolitik.

Kampusi i ri do të financohet nga Komisioni dhe aplikimet për studentët do të hapen në shtator 2023, sipas Varhelyi.

Ai shtoi: “E vetmja gjë që na duhet tani është një ndërtesë, një vend i bukur për kolegjin”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshëndeti lajmin si një “dhuratë të madhe” dhe diçka “jashtëzakonisht të rëndësishme dhe domethënëse për ne” në një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë me shefin e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Varhelyi.

Pasi kolegji i Bruges hapi një kampus në Poloni në vitet 1990 për të mbështetur ato vende që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, tani do të hapë një kampus në Shqipëri”, tha Rama, duke iu referuar hapjes së një kampusi të dytë kolegji në Natolin, Poloni, në vitin 1992, si rajon i angazhuar për integrimin evropian pas rënies së komunizmit.

Kuptimi simbolik i lëvizjes së Tiranës nuk i humbi Varhelyi, i cili e përshkroi atë si një “sinjal të qartë se pranimi [e Shqipërisë] është afër, kështu ndodhi në Poloni”.

Në një deklaratë me shkrim për “Politico”, Rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini “përshëndeti synimin e shpallur të Komisionit për të financuar një kampus të ri të Kolegjit të Evropës në Tiranë”.

Ajo shtoi: “Ne po fillojmë punën paraprake për të paraqitur një propozim të detajuar”.

Presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian – Ursula von der Leyen dhe Charles Michel – mbështetën thirrjet e Shqipërisë për të ngritur një kampus të ri gjatë një samiti të liderëve të BE-së në Tiranë dhjetorin e kaluar.

Rama refuzoi të enjten të caktonte një afat përfundimtar për hyrjen e Shqipërisë në BE, por tregoi se vendi i tij mund t’i bashkohej klubit “brenda dekadës së ardhshme”, diçka që ai pranoi se do të ishte konsideruar e paimagjinueshme deri disa vite më parë.

Universiteti është alma mater më i përfaqësuar në mesin e nëpunësve civilë të BE-së, sipas një renditjeje “Politico”, dhe të diplomuarit e tij përfshijnë komisionerin aktual Margaritis Schinas si dhe ish-kryeministrat e Danimarkës dhe Finlandës, Helle Thorning-Schmidt dhe Alexander Stubb.

Universiteti financohet pjesërisht nga BE-ja dhe qeveritë e tjera kombëtare, sipas të dhënave të tij. /Politico

/Shqip.com