Lajme

Koha për ndërrimin e gomave, këto janë dënimet nëse nuk jeni të pajisur

Afati ligjor për ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit në Kosovë sipas ligjit hyn nga 15 nëntori dhe të njëjtat duhet të mbahen në vetura deri më 15 mars.

Nderkohë, Policia e Kosovës ka bërë apel tek të gjithë qytetarët e vendit që të kenë kujdes.

“Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta”, thuhet në apelin e policisë.

Përveç ndërrimit të gomave, shoferët janë të detyruar me ligj që të jenë të pajisur edhe me zinxhirë, gjatë gjithë kohës së lartë cekur.

Me ligjet aktuale në fuqi, gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve, të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore.

Shoferi, që drejton automjet pa pajisje dimërore në të ashtuquajturin sezon dimëror, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

/Shqip.com