KGJK e sheh të rrezikshëm mekanizmin e jashtëm, Qeveria s’tërhiqet nga vetingu

Derisa Ministria e Drejtësisë po e sheh vetingun të vetmen rrugëdalje për pastrim të sistemit të drejtësisë, një veting nga mekanizma të jashtëm po konsiderohet i rrezikshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, po kërkon nga Qeveria qe të mos ndërhyjë në drejtësi, por ekzekutivi thonë se pavarësia e drejtësisë mund të ruhet vetëm nëse nga Ministria nuk flasin fare për gjyqësor.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se amendamentet pret që të bëhen brenda vitit të ardhshëm, duke shprehur bindjen se vetingu do të përkrahet edhe nga partitë opozitare.
Kundërshtimin për veting, Zogaj e ka arsyetuar me faktin se “shumica e gjyqësorit janë të rinj dhe me më pak se 6 vjet përvojë pune”.

“S’pranoj të rrënohet diçka që kemi punuar çdo ditë për ta ndërtuar, për shkak se qeveria mund ta ketë kauzë politike për çështje votash. E papranueshme”, ka thënë ai në “KTV”.
“Qeveria le të kthehet tek opsioni që e ka dhënë KGJK-ja dhe që është në përputhje me Raportin e Progresit që e ka qartësuar rrugën që duhet të ndiqet. Vetingu me ndryshime kushtetuese alternativa e fundit sepse i merr pesë vjet punë e duhet buxhet i madh”.
“Vetingu me ndryshime ligjore të brendshme sepse vetë ideja me të jashtme është tepër e rrezikshme e ky vend demokratik s’e lejon. Me mekanizma të brendshëm i ftoj të ulemi qysh nesër sepse po humbim kohë”.
Por kjo me mekanizma të brendshëm s’mund të bëhet, sipas zëvendësministrit Sallahu. Ai thotë se mekanizmi I jashtëm duhet pasi veprimet kundërligjore “nuk janë në numër njëjës, por në shumës”.
“S’mund të bëhet brenda sepse veprimet kundërligjore s’janë në numër njëjës, por në shumës. Përfshihen shumë vetë aty. S’mund të bëj unë ty veting kur këta rrinë vazhdimisht bashkë. S’është veting ky. Prandaj duhet mekanizëm i jashtëm që do të votohet nga një organizëm i jashtëm ndërkombëtar. S’po shoh pse të ketë shqetësime”, ka thënë ai. /Shqip.com