Lajme

Këshilltari i Blinken flet me Kurtin, tregon për çfarë u bisedua

Derek Chollet

Pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, këshilltari i Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, Derek Chollet ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kjo është bërë e ditur vetë nga ana e Chollet në Twitter.

“Telefonatë e mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. E falënderova atë për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, ka shkruar Chollet.

Ndërsa në reagimin e Departamentit të SHBA-ve po ashtu kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mirëpresin vendimin e palëve për të vënë në krye të vendimmarrjes interesat e të gjithë njerëzve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, Borrell ka konfirmuar që ditëve të ardhshme palët do të ftohen për të diskutuar për normalizimin e plotë. Tutje, ai ka thënë se mund t’i ndërpres negociatat, nëse palët e bllokojnë procesin.

Mes tjerash, në deklaratë thuhet se palët kanë rënë dakord që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe me urgjencë të përqendrohen te normalizimi i plotë i marrëdhënieve, përmes propozimit të njohur si franko-gjerman, të mbështetur nga BE, thuhet mes tjerash në deklaratë.

/Shqip.com