Lajme

Këshilli i Prindërve për protestat e SBASHK-ut: Nxënësit po i paguajnë faturat e mospajtimeve në mes të tyre dhe Ministrisë së Arsimit

Protesta

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura pritet që sot duke filluar nga ora 14:00 të organizojnë protestë.

Në lidhje më këtë kryetari i Këshilli i Prindërve, Jeton Demi për SHQIP.com kanë thënë se mospajtimi nga SHBASHK-u dhe Ministria e Arsimit është duke dëmtuar procesin mësimor dhe “faturat” po i paguajnë nxënësit.

“Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik.

Derisa, Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social; dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese”.

Ai tha se beson se arsyeja kryesore në emigrim të qytetarëve është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë”.

Ndryshe në lidhje më këto protesta, kryetari i SBASHK-ut,  Rrahman Jashari për SHQIP.com tha që sot pret të ketë një protestë masive.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

‘’Sot pritet që të kemi një protestë masive, po ashtu kemi bërë apel te prindërit që shkollat të mos punojnë’’ ka thënë Jashari.

Gjatë ditës se djeshme Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka kërkuar që protesta të mos mbahet, mirëpo Jashari nuk po pajtohet me një kërkesë të tillë.

‘’Është e natyrshme që ministria do të kundërshtojë protestat, ministria duhet të angazhohet më shumë rreth kësaj çështje, ata duhet të bëhen zëri i punëtorëve të arsimit në qeveri’’ ka thënë Jashari.

Ai thotë se ka pasur dy takime me ministren e arsimit , Arbërie Nagavcin po që nuk kanë arritur marrëveshje./SHQIP.com