Kërkohet paraburgim ndaj një qytetari e instruktori të një autoshkolle
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurit A.B., për shkak të veprës penale “Dhënia e ryshfetit në sektorin privat” dhe ndaj të pandehurit E.M., për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas KPRK-së, të cilët janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 14.02.2024.
I pandehuri A.B., dyshohet se më 14.02.2024, rreth orës 13:10, në Qendrën e pajisjes me patentë shofer, me dashje dhe vetëdije ofron dhe premton në mënyrë të drejtpërdrejt shpërblim/përfitim të panevojshëm për të punësuarin në sektorin privat përkatësisht instruktorin e një auto shkolle, me qëllim që ky i fundit të veprojë duke shkelur detyrën dhe funksionin në aktivitetin e tij, në atë mënyrë që i pandehuri i lartcekur duke qenë kandidat i interesuar për tu pajisur me patentë shofer të kategorisë C, në fillim të vitit 2024 kontakton tani të pandehurin i cili ndodhet në arrati, në cilësinë e instruktorit të një auto shkolle, i cili duke qenë në dijeni se nuk është i licencuar për ofrimin e shërbimeve të kategorisë C për patentë shofer, nga i pandehuri A.B., merrë shumën prej 200€ në emër të rregullimit të dokumenteve për regjistrim, më pas i pandehuri A.B., e njofton të pandehurin tjetër se patentë shoferi i nevojitet me urgjencë për shkak të mundësisë së punësimit jashtë vendit.
Më 14.02.2024, të pandehurit A.B., i vendosen pajisjet dhe gjatë procedurës testuese me anë të tyre arrinë të komunikojë dhe t’i përgjigjet pyetjeve saktë, mirëpo këto veprime i verenë një dëshmitar dhe ndërprehet procedura e testimit.
Ndërkaq, më 18.01.2024, në një autoshkollë në Fushë Kosovë, i pandehuri E.M., me të pandehurin tjetër dyshohen se me dashje dhe vetëdije përmes fshehjes se fakteve e në kundërshtim me Ligjin për Patentë shofer, lëshojnë vërtetim mbi kinse aftësimin praktik të kandidatit duke e vënë në lajthim organin kompetent që të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
/Shqip.com