Lajme

KEDS i reagon ZRRE-së: Do të ndjekim rrugët ligjore

Kompania KEDS i ka reaguar ZRRE-së në lidhje me shqiptimin e gjobës ndaj tyre në vlerë prej 2.7 milionë euro.

KEDS ka thënë se sektori i energjisë është në krizë të vazhdueshme që nga viti i kaluar.

“Siç jeni në dijeni, gjatë vitit 2021 dhe 2022, sektori i energjisë elektrike në Evropë dhe në rajon është përballur me një krizë energjetike shumë të rëndë-më të rëndën gjatë dekadave të fundit. Vendet, si Kosova, prodhimi i të cilave nuk mbulon kërkesën për konsum, e kanë ndier këtë krizë edhe më thellë”, thuhet në reagimin e KEDS.

Sipas tyre sinjalet e para të krizës janë shfaqur në korrik të vitit 2021, por pavarësisht kësaj ZRRE, nuk ka ndërmarr asnjë masë për parandalimin e krizës.

Në reagim thuhet se mosveprimet e Rregullatorit në kohën e krizës, kanë krijuar konfuzion.

“Mosveprimet e Rregullatorit kanë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim”, theksohet në njoftimin e KEDS.

KEDS ka paralajmëruar se do t’i ndjekë rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim, derisa ka shtuar se i njëjti do të thellojë dhe rrezikojë qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit.

Kjo kompani ka deklaruar se Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike.

Tutje, bëhet e ditur se pavarësisht situatës së vështirë, KEDS zotohet se do të shtjerrë të gjitha mundësitë, për luftuar krizën energjetike edhe pse ndjehen të vetëm e pa mbështetje institucionale.

/Shqip.com