Lajme

KE-ja me kushte: S’ka fonde për Kosovën dhe Serbinë nëse nuk zbatojnë marrëveshjen. Hovenier: Asociacioni pa kompetenca ekzekutive!

Kosova dhe Serbia nuk do të marrin para nga fondi i Planit Ekonomike prej 6 miliardë euro nëse nuk do të implementojnë marrëveshjen. Lajmin e bëjnë të ditur burime në Bruksel.

Pavarësisht nëse të dyja shtetet plotësojmë reformat që duhet, por pa marrëveshjen për dialog, nuk do të mund të përfitojnë nga këto para.

Sipas burimeve, këtë fakt ua ka bërë të qartë liderëve të Prishtinës dhe Beogradit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë turit që kishte në Ballkanin Perëndimor.

Hovenier: Asociacioni pa kompetenca ekzekutive
Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Këtë deklarim ai e ka bërë të enjten në një adresim para mediave, ku ka folur lidhur me draft-statutin e Asociacionit, të prezantuar ditë më parë nga Bashkimi Evropian, ku prezentë ishin edhe SHBA-të.

Hovenier tutje ka thënë se fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian me prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Siç ka thënë edhe kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, kjo duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese para se të hyjë në fuqi”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.

/Shqip.com