Lajme

Kamberi i reagon Vuçiqit: Rruga e Serbisë drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë

Deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi  ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili kishte thënë se “janë të domosdoshme marrëdhëniet shumë më të mira me shqiptarët”.

Deputeti shqiptar i ka thënë presidentit të këtij shteti se “vetëm kur Serbia ta pranojë se çfarë ka bërë në Kosovë mund të ketë miqësi me shqiptarët” dhe se “rruga e Serbisë drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë”.

Kamberi përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ia ka kujtuar Vuçiqit se të njëjtat fjalë ia kishte thënë por që ky i fundit kishte reaguar me inat.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Aleksandër Vuçiq më në fund e paska kuptuar që për Serbinë “janë të domosdoshme marrëdhëniet shumë më të mira me shqiptarët. Po, z.President, a nuk ju kam thënë të njejtën gjë në debatin parlamentar rreth dialogut me Kosovën?”, ka shkruar Kamberi.

“A nuk ju kam thënë që “gjuha e urrejtjes dhe riciklimi i terminologjisë së viteve të 80’ta dhe 90’ta nuk ka vend në këtë dialog mbi pajtimin i cili njëkohësisht nënkupton edhe ballafaqimin me të kaluarën” dhe që “ju nevojitet një qasje e re”.

“Si keni reaguar ju atëkohë? Me inat keni refuzuar të heqni dorë nga politika e krimeve të luftës”, ka shkruar ai.

Deputeti më tej ka thënë se Vuçiq duhet të heqë dorë nga imagjinata e tij virtuale për Kosovën dhe të kthehet në realitet.

“Përsëri po ju them që të heqni dorë nga “imagjinatat virtuele rreth Kosovës” dhe të pranoni jo vetëm realitetin, por edhe përgjegjësinë rreth asaj se çfarë ka bërë shteti serb në Kosovë”, ka shkruar Kamberi./Shqip.com