Sport Ndërkombëtar

Joshua i kthehet ringut më 1 prill, sfidohet nga amerikani

Anthony Joshua do të rikthehet në ring më 1 prill. Madje, tashmë është mësuar edhe emri i kundërshtarit të tij. Britaniku do të sfidohet nga boksieri amerikan, Jermaine Franklin. Meçi në mes tyre do të zhvillohet në “O2 Arena” të Londrës pas pak javësh.

Tashmë marrëveshja në mes palëve është nënshkruar dhe kjo do të zyrtarizohet përmes një konference për media pas pak ditësh.

Joshua aktualisht i ka 24 fitore e 3 humbje në karrierën e bujshme të tij. Ai kthehet në ring pas humbjes në revanshin nga Oleksandr Usyk që e pësoi në gushtin vitit të kaluar. Kurse, Franklin i ka 22 fitore dhe vetëm një humbje. Këtë humbje amerikani e ka pësuar nga Dillian Whyte në nëntorin e vitit të kaluar.

33-vjeçari britanik e ka pranuar se kohëve të fundit ka pësuar rënie dhe tani e kërkon një sukses në këtë duel për të treguar se ai ka ende kapacitet për të qëndruar në nivele të larta.

Në anën tjetër, 29-vjeçari Frankiln dëshiron që me një fitore ndaj ish-kampionit të ngjitet ende më lartë për të kërkuar pastaj një mundësi për titull.

/Shqip.com