Lajme Botë

Joe Biden i kërkon Izraelit që të mos sulmojë paqeruajtësit e OKB-së në Liban!

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i kërkoi prerazi Izraelit që të ndalojë goditjen e paqeruajtësve të OKB-së gjatë konfliktit të tij me Hezbollahun në Liban.

Thirrjen e kreut të Shtëpisë së Bardhë e nxitën dy incidente të njëpasnjëshme brenda 48 orëve. Më herët, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) morën përgjegjësinë për plagosjen e dy ushtarëve nga Sri Lanka që shërbejnë në Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (Unifil).

IDF tha se trupat e saj që operojnë rreth bazës Unifil në Naqoura identifikuan një kërcënim dhe hapën zjarr. Incidenti, sipas saj, do të hetohej “në nivelet më të larta”. Edhe të enjten dy paqeruajtës indonezianë u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi një tank izraelit qëlloi drejt saj. Liderët e Francës, Italisë dhe Spanjës lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar veprimet e Izraelit, për të cilat thanë se janë të pajustifikueshme dhe duhet të marrin fund menjëherë.

Ministria e Jashtme e Sri Lankës gjithashtu e dënoi me forcë sulmin e IDF që plagosi dy ushtarë të saj. Kreu i paqeruajtësve të OKB-së u shpreh se kishte arsye për të besuar se disa të shtëna ndaj pozicioneve të OKB-së në Libanin jugor kanë qenë të drejtpërdrejta, edhe pse nuk bëri publikisht askënd përgjegjës për episodet shqetësuese.. Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas, në fillim të luftës në Gaza.

Në javët e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Bekaa, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit. Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.

/Shqip.com