Lajme

Jens Engel: Njerëzit në Serbi dhe Kosovë sigurisht që nuk duan luftë

Koordinatori rajonal për Evropën Lindore në organizatën e ndihmës “Helvetas”, Jens Engel ka thënë se  njerëzit në Kosovë dhe Serbi sigurisht nuk duan luftë.

Në një intervistë për mediumi 20min, Engel është shprehur se as Kosova dhe as Serbia nuk duan një konflikt të ri.

“Qeveritë e të dy vendeve kanë bërë thirrje për paqe dhe në thelb nuk po kërkojnë një luftë të re. Aq më tepër që ata e dinë se një luftë nuk do të gëzonte mbështetjen e shumicës së popullsisë. Shumica e popullsisë në Serbi si dhe në Kosovë duan të bëjnë një jetë normale dhe ta çojnë vendin e tyre përpara. Lufta e Kosovës nuk ishte shumë kohë më parë, plagët ende nuk janë shëruar. Shumë vetë e përjetuan luftën dhe humbën shumë në këtë proces. Ata nuk duan ta kalojnë atë përsëri”, thotë ai.

Ai ka shtuar se në rast se do të ketë luftë, do të ketë ndikime negative edhe në sektorin e ekonomisë.

“Do të ishte një fatkeqësi. Nga njëra anë për Evropën, pasi do të kishte dy luftëra që do të dobësonin më tej ekonominë. Në të njëjtën kohë, kjo mund të çojë në konflikte të reja rreth demarkacionit të kufijve në shtetet ish-jugosllave. Humbësit më të mëdhenj do të ishin Kosova dhe Serbia. Një luftë do t’i kthente të dyja vendet prapa dhe do të ishte një pengesë e rëndë. Sepse të dy duan paqe dhe duan të anëtarësohen në BE, të cilën një luftë do ta bëjë të pamundur. BE-ja është një partner tregtar shumë i rëndësishëm për të dy”, thotë më tutje Engel.

Veriu i Kosovës, ku jetojnë shumë serbë, ka qenë gjithmonë një zonë konflikti dhe ndoshta do të mbetet e tillë. Veprime të tilla si ngritja e barrikadave në rrugë mund të jenë pika e fundit. Problemi është se lufta e Kosovës nuk është trajtuar kurrë siç duhet në asnjërin vend. Përveç kësaj, sipas serbëve, Kosova ende i përket Serbisë. Për kosovarët, nga ana tjetër, është shtet i pavarur, ka thënë më tutje koordinatori rajonal për Evropën Lindore, Jens Engel./Shqip.com