Lajme

Jasharaj: S’do kundërshtojmë nëse merren masa ndaj mësimdhënësve që refuzojnë të vaksinohen

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, thotë se nuk do të kundërshtojnë në rast se merren masa ndaj punonjësve arsimor të cilët refuzojnë të vaksinohen me COVID-19, njofton Shqip.com.

Nga 24 mijë mësimdhënës në Kosovë, deri më tani vetëm shtatë mijë prej tyre e kanë marrë vaksinën kundër Coronavirusit.

Kjo sindikatë e ka parë si shqetësuese interesimin e ulët të punëtorëve arsimor për t’u imunizuar.

Jashari thotë se mësimdhënësit duhet sa më shpejt që të paraqiten në qendrat e vaksinimit.

“Të punësuarit në sektorin e arsimit sa më shpejtë që të jetë e mundur të paraqiten në qendrat e vaksinimit për ta marrë vaksinën dozën e parë por edhe dozën e dytë. Në këtë mënyrë do të jenë të mbrojtur dhe të përgatitur që ta fillojnë sa më mirë vitin shkollor dhe të ketë rrjedhë të mbarë”, është shprehur ai për ‘Infosot”.

Tutje, Jashari njofton se për të diskutuar për këtë çështje, do të takohet javën tjetër me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nëse mësimdhënësit prapë do të refuzojnë të vaksinohen, Jashari thotë se atëherë do të mbështesin çdo masë të marrë nga institucionet arsimore.

“Të martën do ta kemi një takim me ministren e arsimit Arbërie Nagavcin dhe besoj që së bashku do dalim me një apel të përbashkët përmes mediave dhe besoj se ky apel do të ndikoj tek punëtorët e arsimit. SBASHK-u nuk ka ndonjë mundësi të marrë masa, ne jemi ata që i mbrojmë mësimdhënësit por nëse institucionet dalin me ndonjë propozim apo ndonjë masë që do të ndikonte në vaksinim, atëherë ne nuk do ta kundërshtojmë”, tha ai. /Shqip.com