Lajme

Ish-kryetarja e Kushtetueses: Nuk i kam 6 milionë por 6 mijë euro në llogari

Ish-kryetarja e Gjykates Kushtetuteses, Arta Rama-Hajrizi, ka deklaruar se ajo nuk i ka në llogari bankare gjashtë  milionë euro siç figuron në formularin e Agjencisë Kosovare kundër Korrupsion, por i ka gjashtë mijë 311 euro, shkruan SHQIP.

Ajo ka thënë se shuma mbi 6.3 milionë euro ka figuruar shkaku i një lëshimi teknik në plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë.

Në një email drejtuar Koha.net ajo ka theksuar se do të ju drejtohet zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie për korrigjim.

“Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë dua t’ju njoftoj se ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë. Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim”, ka shkruar Rama-Hajrizi./SHQIP.com