Lajme Botë

Irani po përballet me sfidën më serioze në vitet e fundit

Shpërthimi i protestave mbarëkombëtare në Iran pas vdekjes në paraburgimin policor të një gruaje kurde 22-vjeçare të arrestuar për gjoja mosrespektimin e rregullave të hixhabit (shamisë) është sfida më serioze me të cilën është përballur udhëheqja e Iranit në vite.

Ndërsa autoritetet thonë se Mahsa Amini vdiq për arsye shëndetësore, familja e saj dhe iranianë të tjerë të panumërt besojnë se ajo vdiq si pasojë e rrahjes.

Protestuesit thonë se nëse nuk veprojnë tani, mund të bien viktimë e të njëjtit fat. Të paktën 30 persona janë vrarë në protesta, raporton BBC.

Ka ardhur në një kohë kur iranianët po ndihen veçanërisht të ngopur. Korrupsioni sistematik midis elitës politike të Iranit, varfëria në rritje me inflacion në më shumë se 50%, ngërçi në bisedimet bërthamore dhe mungesa e lirisë sociale dhe politike e kanë lënë popullsinë e re dhe të gjallë të Iranit të ndihet e pashpresë.

Sipas Institutit të Kërkimeve të Organizatës së Sigurimeve Shoqërore të Iranit, të paktën 25 milionë iranianë jetonin nën kufirin e varfërisë deri në qershor 2021. Ky numër është edhe më i lartë tani.

Këto nuk janë protestat e para në historinë e Republikës Islamike të Iranit. Por shumë vëzhgues besojnë se ka diçka ndryshe rreth tyre.Më shumë se çdo gjë, kjo është protesta e një gruaje.

Slogani kryesor i protestuesve është “Gruaja, Jeta, Liria”, thirrje për barazi dhe qëndrim kundër fundamentalizmit fetar./Shqip.com

Shqip.com
Çmimet e derivateve në Kosovë Çmimi maksimal i lejuar për secilin produkt të naftës.
  • Dizel: 1.61
  • Benzine: 1.34
  • Gas: 0.76
Sot : 30/09/2022