Kulturë Kino

Illyricvm – filmi i parë ku dëgjohet dhe flitet gjuha e lashtë ilire

Aktori Ylber Bardhi në filmin “Illyricvm”

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, me regji dhe skenar të Simon Bogojević Narath, e që është bashkëprodhim i Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Bosnjës do të ketë premierë botërore ne Festivalin e Filmit në Kroaci.

“Illyricvm”, personifikon ilirët dhe kthehet pas në vitin 36 para erës sonë, kur shumë principata ilire në atë kohë kanë qenë nën pushtimin ose sundimin romak.

Aktori nga Kosova, Ylber Bardhi, që luan një ndër rolet kryesore në film, e që vjen nga fisi Liburans, tha se filmi është xhiruar në trojet ilire të asaj kohe, në Dalmaci, Liburni, Dezidiat dhe Japod.

“Filmi nuk ka të bëjë me atë se cila prej fiseve Ilire kanë qenë më të vërtetë Ilire apo jo. Dua ta cek që në këtë film nuk përmenden fiset si Dardan, Arjanit, Melos etj, që janë troje të tashmë shqiptare dhe në këtë skenar nuk ka asgjë politike mes trojeve Ilire. Është një përrallë e regjisorit që e ka hedh në letër”, tha Bardhi për Shqip.com

Ai tha se ftesa për të marrë pjesë në film, ka qenë pikërisht nga vetë regjisori Simon Bogojević Narath, e që përmes një adicioni që është organizuar nga producenti Fatmir Spahiu, ka fituar të jetë protagonistë i këtij filmi.

Sipas aktorit, filmi është i veçantë e këtë e bënë fakti që për herë të parë në kinematografinë botërore dëgjohet dhe flitet gjuha e lashtë ilire.

“Xhirimet kanë zgjatur 40 ditë dhe kemi xhiruar në Bosnjë. Mirëpo për gjuhën ilire dhe romake normalisht qe kemi pasë profesor që gjuhët në film të tingëllojnë më së miri që është e mundshm, kemi pas ndoshta 4-5 mujë parapërgatitje para se me fillu xhirimet. Duke i perfshirë edhe përgatitjet me kuajtë si dhe ushtrimet në luftimet e kohës së atëhershme”, tha tutje Bardhi.

Ndër të tjera Bardhi tha se bashkëpunimi me artistë nga vendet e rajonit, si dhe vetë tematika e filmit e bënë një projekt të rendësishëm në karrierën e tij.

“Bashkëpunimi me kolegët aktorë nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe nga Kosova ka qenë një prej përvojave më të mira në karrierë tu e dite edhe karakteristikat e filmit, kohën, rrethanat, kostumet, qe kanë qenë të përshtatura në kohen reale të asaj kohe edhe qe për mua nuk e di a do te kem shansin dhe kënaqësinë të përfomoj një film me zhanër të tillë”, tha ai.

“Illyricvm”, për herë të parë premierën do të ketë në Pula të Kroacisë më 21 korrik, ndërkaq në Kosovë pritet të vijë në vjeshtë./Shqip.com

Traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’