Lajme Ballkan

Ilir Meta bashkëpunëtor i Sigurimit? Reagon Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe predsidenti, Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për zhvillimet më të fundit lidhur me Autoritetit e Dosjeve, ku ish-presidenti Ilir Meta përflitet si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Rama përmes  një postimi të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, fillimisht ka rrëfyer bisedën me Ilir Metën për emërimin e Gentiana Sulës në krye të “Dosjeve”, që siç thotë Rama ka ardhur me pëlqimin e vetë ish-presidentit.

“A është bashkëpunëtori i Sigurimit me inicialet IM, pikërisht ish-presidenti, ish-kryekuvendari, ish-kryeministri dhe ish-dhjetoristi i shfaqur mes studentëve, në takimin me Ramiz Alinë? Kështu mendon siç duket Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në krye të të cilit qëndron sot e gjithë ditën zonja Genta Sula. Emrin e zonjës Sula e kam dëgjuar për herë të parë pikërisht nga ish-kryetari i ish-LSI. Si bashkëkryetar asokohe i koalicionit PS-LSI, ai më pyet një ditë: “E njeh këtë Genta Sulën?”. “Jo!”. “Aaa, duhet ta njohësh! Genta është grua e rrallë, me integritet, e mençur, e zonja shumë, ta çojmë zv.ministre atje tek Veliaj?”. “Patjetër!. . Kështu, me propozim të atij vetë dhe falë një CV-je realisht serioze, Genta Sula u bë kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës”, ka shkruar  fillimisht Rama.

Kryeministri shkruan më tej se në vend të kërkojë hapjen e dosjeve, Meta shantazhon kryetaren e Autoritetit të Dosjeve që e ka propozuar vetë në atë post.

“Mirë të gjitha, po a nuk ju duket pak e çuditshme, që në vend se ta bëjë vetë hapjen dhe publikimin e dosjes, ku akuzohet se gjendet në rolin e spiunit të shokëve, Ilir Meta apo Metaj akuzon e shantazhon Autoritetin e Dosjeve, kryetaren e të cilit siç e thamë e ka zgjedhur vetë?! Mua shumë”, shkruan Rama

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë,  Lindita Nikolla, e ka  konsideruar rastin tronditës.

Në një konferencë për mediat, Nikolla  ka thënë se është e gatshme të mbledhë parlamentin në seancë plenare në cdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri këtë të martë një njoftim në faqen e tij zyrtare ku zbulonte se një personazh me profil të lartë politik me iniciale I.M. rezultonte të ishte bashkëpunëtor. Në të njëjtin njoftim thuhet se institucioni u vu në dijeni me anë të një e-maili dhe pas verifikimit, rezultatet iu vunë në dijeni Kuvendit të Shqipërisë./Shqip.com