Lajme

I arratisuri shfaqet në TikTok: Nuk jam ai që policia më pasqyron

Faton Hajrizi i cili u arratis nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë të shtunën më 6 korrik, është shfaqur mbrëmë në rrjetin social “TikTok”.

Me një gjysmë maskë në fytyrë, Hajrizi ka treguar arsyet se përse është arratisur nga burgu në Smrekonicë, derisa ka shtuar se “nuk jam tu e fsheh fytyrën, por e kam pas një lëndim në faqe, derisa jam arratisë nga Smrekonica”.

Hajrizi tutje ka shtuar se ditëve në vijim do të hyj live në “TikTok” dhe do të flas më gjerësisht.

“Dikush mund të thotë që këtij personi i është bërë hobi të ik nga burgu, por nuk është e vërtetë. Unë dua të jem i lirë si të gjithë shqiptarët. Nuk jam Albin Kurti unë me u mërzit për Izraelin a Ukrainën a janë të lirë. Arsyeja pse unë jam kane me datën 1 dhe jam kthyer me datën 3 në vikend, arsyeja pse nuk kam ikur gjatë vikendit është pikërisht për shkak se kam dhënë fjalën se nuk iki nga vikendi. Kam pasur probleme gjatë arratisjes me tel dhe muri dhe për atë kam pasur lëndime në fytyrë”, dëgjohet duke folur Hajrizi.

Ai thotë se nuk është ashtu siç e pasqyron policia.

“I falënderoj shumë përkrahësit e mi, edhe ata që bëjnë kritika ju përgjigjna pozitivisht. Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili si 14 vjeçar ka qenë në luftë. Unë jam Faton Hajrizi që kam vepruar në veri 2006-2007 për të mirën e këtij vendi. Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot. Me ardh mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem provoku ai mua”, thotë i arratisuri nga burgu.

Hajrizi shton se do të kthehet për ta mbajtur pjesën tjetër të dënimit, por se kur do të ndodh kjo do të vendos ai.

“Këto më kanë detyruar që me marr një vendim e me dalë përkohësisht në liri. Pjesën e mbetur të dënimit edhe pse nuk pajtona me këtë drejtësi kam me u kthy edhe me mbajt, por kur atë e di unë”, dëgjohet Hajrizi në videon e publikuar në “TikTok”.

Ndryshe, Policia e Kosovës e ka shpallur person në kërkim Faton Hajrizin. Organet e rendit kanë kërkuar nga qytetarët që për çdo informatë që ndërlidhet me Hajrizin apo vendndodhjen e tij, të lajmërojnë Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, me autorizimin të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është autorizuar të publikoj fotografinë e të arratisurit të poshtë shënuar me shpresë se në bashkëpunim me mediat dhe qytetarët do të bëhet e mundur lokalizimi dhe arrestimi i personit të shpallur në kërkim”, thuhej në komunikatën e Policisë.

/Shqip.com