Hoxhaj i PDK-së, thirrje deputetëve, ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje të reja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje deputetëve që ta shpërndajnë Kuvendin për të shkuar në zgjedhje të reja.
Hoxhaj tha në Kuvend se nevojitet një qeveri e re për ta kthyer Kosovën “te parimet kyçe të dialogut” me Serbinë.
“I ftoj të gjithë deputetët e shumicës, edhe të opozitës, që na ta shpërndajmë këtë Kuvend. Neve na duhet një qeveri e re, neve na duhet një lidership i ri, neve na vyen një mandat i ri i këtij institucioni, i këtij Kuvendi, me qëllim që Kosovën ta kthejmë te parimet kyçe të dialogut, dhe parimet kyçe të dialogut janë: marrëveshje obligative ligjore, jo bazike; marrëveshje finale, jo të përkohshme; marrëveshje për njohje të ndërsjelltë dhe jo për marrëveshje e cila në fakt është mosmarrëveshje”, tha ish-kryediplomati.
Hoxhaj tha se është i bindur se nëse vazhdohet këtu, marrëveshje me Serbinë me njohje reciproke s’do të ketë “për një kohë të gjatë”.
“Prandaj nuk duhet të blejmë kohë ne si opozitë. Nëse Qeveria e ka politikën e blerjes së kohës, unë ju ftoj të gjithëve që ne të mos blejmë kohë. Ta shkurtojmë mandatin e këtij Kuvendi, të shkojmë në zgjedhje dhe ta formojmë një qeveri të re”, tha Hoxhaj.
/Shqip.com