Lajme

Hoxhaj dhe Veliaj vizitojnë Thaçin dhe të tjerët në Hagë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, kanë udhëtuar për në Hagë, ku kanë takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. 

Hoxhaj tha se ata ishin të vendosur dhe plot vullnet për ta fituar betejën e Kosovës në Hagë.

“Sot, takuam shokët tanë në Hagë! Bashkë me kryetarin e Tiranës, mikun tim, Erion Veliajn, vizituam shokët Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Si gjithnjë, të vendosur dhe plot vullnet për ta fituar betejën e Kosovës në Hagë, sepse atje po gjykohet lufta e lavdishme e UÇK-së dhe jo individi. Të pandalshëm e energjikë, do të dalin triumfues të kësaj vazhdimësie të luftës për liri dhe pavarësi të krerëve të UÇK-së”, ka shkruar ai.

Thaçi dhe Veseli u arrestuan më 5 nëntor 2020.

Aktakuza ndaj tij, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit u publikua me 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët’’ kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë./Shqip.com

/Shqip.com