Ekonomi

Hoti: Si mund të arsyetohet rritja e normës tatimore në këtë krizë të çmimeve

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me rritjen e normës së tatimit në pronë nga ana e institucioneve kompetente.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka ironizuar duke thënë se qeveritarët e kanë nisur vitin mbarë.

“Qeveritarët e nisin vitin mbarë!!! I dyfishojnë faturat e tatimit në pronë, në veçanti për zonat urbane. Si arsyetohet kjo në krizën më të madhe të çmimeve në 15 vitet e fundit?! 85 mijë të punësuar nuk e dinë sa do ta kenë pagën në shkurt, por e dinë se faturat e tatimit në pronë i kanë të dyfishuara”, shkroi Hoti.

Hoti tha se ligji kërkon rivlerësim për vlerën e tregut të pronave, por ky vlerësim duhet të bëhet në kontekst të zhvillimeve politike.

“Ligji sigurisht se kërkon ri-vlerësim të rregullt të vlerës së tregut të pronave. Por, ri-vlerësimi bëhet në kontekst të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend, si dhe analizohet me kujdes se kur është koha e përshtatshme që kjo të reflektohet në faturat për qytetarët”.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve Hekuran Murati është larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Murati u largua pas një përplasje të cilën e pati me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Përplasen Bajrami-Murati, ky i fundit largohet nga mbledhja e komisionit – SHQIP.com

Shkaktar kryesor i përplasjes midis Muratit e Bajramit ishte rritja e çmimit të tatimit në pronë.

Ministri Murati, duke komentuar ngritjen e vlerës së tatimeve në pronë, ka thënë se “në të kaluarën ka pasur raste të nënvlerësimit të pronave”.

Murati ka thënë se si Ministri do të shikojnë mundësitë që “ta bëjnë të tejkalueshme situatën”.

Pak minuta më parë, Ministria e Fianancave përmes një njoftimi për media, ka thënë se në vitin 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat dhe se ato do të tatimohen 100 për qind.

MFPT: Pronat do të tatimohen 100 për qind, nuk ka më zbritje

“Vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave. Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar”.

Rritja e çmimit të tatimit në pronë, reagon Komuna e Prishtinës

Lidhur me rritjen e çmimit të tatimit në pronë ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se kjo rritje nuk duhet ti atribuohet komunës por Ministrisë së Financave.

/Shqip.com