Lajme

Hoti paraqet pesë pika se si duhet të jetë marrëveshja finale me Serbinë

Avdullah Hoti, LDK
Avdullah Hoti, LDK

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paraqitur pesë pika të cilat sipas tij do të mundësojnë marrëveshjen finale me Serbinë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Hoti ka thënë se marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, ligjërisht e obligueshme dhe të ketë garancinë ndërkombëtare.

“Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë:1. PËRFUNDIMTARE – e jo e ndërmjetme, sepse ndryshe mbetet problem i hapur për të ardhmen dhe kjo e rrit pasigurinë politike në gjithë rajonin;2. LIGJËRISHT E OBLIGUESHME – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve;3. ME GARANCI NDËRKOMBËTARE – ku BE dhe ShBA marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës;4. PËR NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE – ku adresohen të gjitha çështjet mes dy vendeve bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë; dhe5. PËR NJOHJE RECIPROKE”, ka shkruar Hoti.

Në anën tjetër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka folur edhe njëherë për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara inkurajohen dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka shkruar Hovenier.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i lumtur me faktin se Kosova e ka pranuar propozimin e BE-së.

Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

/Shqip.com