Hetuesit e BKH në shtëpinë e Veliajt për të kontrolluar telefonin e Ajola Xoxës, SPAK me njoftim zyrtar: Janë ndërmarrë veprime hetimore, jemi në fazën…
SPAK ka publikuar një njoftim zyrtar pasi hetuesit e BKH shkuan në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan SPAK.
Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar mëngjesin e sotëm në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me një mandat për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Kryebashkiaku Veliaj ndodhet ndërkohë për një vizitë dy ditore në Hamburg, ku siç ka njoftuar zyra e tij e shtypit, ka zhvilluar takime me Kryebashkiakun e Parë të Hamburgut, Peter Tschentscher dhe Presidenten e Parlamentit të Hamburgut, Carola Veit.
Burimet bëjnë të ditur se në shtëpinë e kryebashkiakut në momentin që kanë shkuar hetuesit e BKH-së kanë qenë bashkëshortja e tij dhe djali i mitur.
SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar lidhur me vendimin për të këqyrur telefonin e bashkëshortes së Veliajt, por nga burime jozyrtare bëhet e ditur se ndaj kryebashkiakut ka nisur hetim për deklarimin e pasurisë.
/Shqip.com