Kulturë

Heminguej: “Ferma” e Joan Miro, si “Uliksi” i Xhojsit në letërsi

Një pikturë e vetme është krahasuar me romanin më famoz të shek. XX, “Uliksi” të Xhojsit. Dhe këtë vlerësim, s’e ka bërë një njeri i panjohur, por Heminguej. Bile ai u impresionua aq shumë kur e pa, saqë e bleu atë, me gjithë çmimin e kripur.

Dhe fjala është për tablonë më poshtë “The farm” (Ferma) të piktorit të madh spanjoll, Joan Miro (1893-1983), që konsiderohet ndër figurat më të njohura të surealizmit dhe jo vetëm.

“Në këtë pikturë është çdo ndjenjë që mund të kesh për Spanjën, si kur ju jeni atje, ashtu  dhe kur nuk jeni atje. Askush tjetër nuk do të ishte në gjendje t’i pikturonte këto dy gjëra kaq të kundërta”, është shprehur Heminguej.

Shekulli XX, njihet edhe si shekulli i revolucionit të pikturës. Krahas Pikasos dhe Dalisë, stili eksperimental i Joan Miró, ndryshoi kryekëput rregullat e deriatëhershme të këtij arti. Ai shpiku vizatimin automatik si një mënyrë për të ndrequr teknikat e mëparshme të vendosura në pikturë, dhe në këtë mënyrë, me André Masson, përfaqësuan fillimin e surealizmit.

Porse, Miro, nuk qëndroi vetëm në surealizëm. Ai krijoi edhe në ekspresionizëm, abstraksionizëm, kubizëm, krijoi shenjat e para të pikturës që në vitet 20-të dhe guxoi sprovat e para në krijimet tre dhe katër dimensionale të skulpturës, duke u kthyer kështu në një nga artistët më novatorë të shekullit.

Ndërkohë, një nga punët e tij gjeniale, konsiderohen edhe 250 librat me ilustrime që ai ka lënë pas, të cilësuara si “Libri i artistit”, leksione këto të pakrahasueshme për çdo piktor të mëvonshëm. Ndaj, s’duket aspak i rastit vlerësimi i Heminguejit për artistin katalunas, duke e krahasuar “The farm” me “Uliksi-n”, që siç dihet, etiketohet ende si një vepër letrare në kufijtë e mendjes njerëzore.

/Shqip.com