Lajme

Haxhiu: Tërheqja e Albin Kurtit nga vendimi për targat, sjellje fëmijërore e anti ligjore

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se tërheqja dhe zbutja e vendimit për targa nga Kurti është sjellje fëmijërore.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se vendimi është antikushtetuese e antiligjore në përmbajtje.

“Zbutja dhe tërheqje e papërgjegjshme e Albin Kurtit nga vendimi për targat, sjellje fëmijërore, antikushtetuese e anti ligjore në përmbajtje.

Strukturat paralele e kriminale që shumëherë i kanë gjuajtur me plumba policët shqiptarë të Kosovës, Albin Kurti ka marr vendim që t’i qortojë disa muaj. Kjo është tallje!”.

Ai ka thënë “me këtë zbutje, tërheqje nga mos zbatimi i vendimit të Qeverisë për targat Albin Kurti po inkurajonë grupet kriminale në veri për t’iu rezistuar autoriteteve të shtetit të Kosovës”.

“Qeveria nuk ishte në gjendje të ruaj autoritetin shtetëror vendimmarrës,  dhe as raportet me partnerët ndërkombëtarë.

Për afro 2 vite të Qeverisë Kurti kemi zero investime ne veri dhe zero kthim të shqiptarëve, zero përmirësim të sigurisë dhe  zero përmirësim të mirëqenies për qytetarët tonë në anën tjetër të Ibrit”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dje gjatë ditës ka vendosur që automjetet me targa ilegale të Serbisë mund të qarkullojnë rrugëve të Kosovës edhe pas 1 nëntorit.

Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit.

Për këtë SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer, meqë kërkonte shtyrjen e zbatimit të vendimit për 10 muaj.

/Shqip.com