Lajme

Haxhiu: Qeveri hipokritësh që paaftësinë mundohen ta shesin si vlerë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë Kurti lidhur me çështjen e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

“Sa herë që po procedohet Projektligji për Trustin në Kuvend, Qeveria del me propozime pa efekt në tejkalimin të krizës ekonomike”, ka shkuar Haxhiu.

Në periudhën kur e kam dorëzuar Projektligjin për Trustin, kryeministri Kurti me urgjencë ndau 100 euro lëmoshë për qytetarët ka shtuar më tutje Haxhiu.

Ai ka thënë se në momentin kur 21 mijë qytetarë nënshkruan peticionin për Trustin, Kurti doli me një propozim të ri.

“Tani kur Iniciativa Qytetare për tërheqjen e deri 30% të Trustit mori mbështetje të madhe, iniciatorët dhe vullnetarët e peticionit për Trustin dorëzuan 21 mijë e 398 nënshkrime për ta ri proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend, kryeministri paska dalë me një propozim të ri”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar masën e re “Qeveria për Familjet”.

Ai ka bërë të ditur se që nga e hëna, në kuadër të masave të punësimit synojnë të garantojnë që çdo familje në vend të ketë së paku një të punësuar.

Kurti tha se në bazë të kësaj skemë qeveria do të subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, ku maksimumi do të jetë 300 euro për gjashtë muaj./Shqip.com