Lajme

Haxhiu për mbështetjen ndaj Jasharit: Përjashtimi nga PDK-ja – nderi më i madh që mund të më bëjnë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se përjashtimi nga kjo parti për shkak të përkrahjes së tij ndaj Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt, kundër Fadil Nurës së PDK-së, do të ishte nderi më i madh që do të mund t’i bëhej, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai në debatin televiziv në “Kanal10”, ku i ftuar përveç tij ishte edhe vetë Jashari.

Derisa u pyet nëse do të jetë prapë pjesë e PDK-së edhe pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor, Haxhiu tha se është PDK, është UÇK dhe është me familjen Jashari.

Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari

“Jam PDK, jam UÇK, jam me Familjen Jashari, jam me Bekim Jasharin dhe do të vazhdoj njëjtë me qenë”, ka thënë Haxhiu.

“Nderi më i madh që mundet të më bëjë për familjen Jashari, është të më përjashtojë. Ai është nderi më i madh që mundet PDK-ja të ma bëjë”, shtoi më tej ai.

Gjatë këtij diskutimi Haxhiu tha se PDK-ja është një parti e cila është krijuar mbi emblemën e UÇK-së andaj nuk duhet t’i kundërshtojë vlerat e saj duke dalë kundër Jasharit.

Madje ai duke ironizuar tha se “marre do të ishte po që se do të të mundte në garë Agim Bahtiri, e jo Bekim Jashari”.

Kundër Bekim Jasharit që po mbështetet nga Haxhiu, nga PDK garon Fadil Nura me mbështetje të plotë nga Sami Lushtaku, dega e PDK-së në Skenderaj dhe kryetari e kryesia e PDK-së. /Shqip.com