Lajme

Haxhiu niset sot për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot do të niset për në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara.

Kështu ka bërë të ditur për SHQIP.com, Flamur Pireva, këshilltar i ministres Haxhiu.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputetin Erxhan Galushi, do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim”, ka thënë Pireva.

Ish-krerët e UÇK-së

Delegacioni nga Kosova pritet që të takohet me ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, ish-shefin e GP të LVV-së, Rexhep Selimi dhe me ish-krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e po ashtu edhe me ish-luftëtarin Pjetër Shala.

“Delegacioni do të udhëtojë për në Hagë, sot më 29 mars”, ka thënë Pireva.

Ditë më parë, Ministrja Albulena Haxhiu në emisionin “Përballje”, kishe deklaruar se ajo ka kërkuar takim me të gjithë ata që po mbahen në Hagë.

“Nuk mund të them me siguri se do t’i takojë të gjithë, pasi që zoti Thaçi e Veseli kishin refuzuar t’i takonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që këta të fundit kishin pasur në Hagë”, kishte thënë Haxhiu.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.

Ata po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur./Shqip.com