Lajme

Haradinaj reagon për rritjen e tatimit: Qeveria po e vështirëson jetesën e qytetarëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, është goditje direkte në financat e qytetarëve.

Haradinaj, duke shfrytëzuar rrjetin Facebook, ka thënë jeta e qytetarëve është vështirësuar edhe ashtu me ngritjen e çmimeve.

“Fatura e tatimit në pronë për vitin 2023 është shumëfishuar me një ndërhyrje të Ministrisë së Financave. Jetesa e qytetarëve është vështirësuar nga rritja e çmimeve. Përkundër këtyre fakteve të dukshme nuk kishte asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës për frenuar inflacionin dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, financat e qytetarëve po barten nga xhepat e tyre në arkat e shtetit, e që në fund as nuk po shpenzohen nga shteti.

“Ky veprim është edhe një goditje ndaj financave të qytetarëve. Me dhunë e përmes ligjit, financat e qytetarëve po barten nga xhepi i tyre në arkën e shtetit dhe në fund as nuk shpenzohet buxheti dhe as nuk mbështetet qytetari i Kosovës.

Mirë po e gënjen popullin. I mirë është edhe në veprime që janë në kundërshtim me premtimet dhe me Republikën e Kosovës”, ka përfunduar shkrimin e tij Haradinaj.

/Shqip.com