Haradinaj: Rama ka qenë i rreshtuar gabim

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Edi Rama “ka qenë i rreshtuar gabim”, duke shtuar se ai besonte në “ndarjen e Kosovës”.
Këto komente kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i bëri gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës.
“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës për hapjen e kufijve të Kosovës, sigurisht që mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im Edi Rama”, ka delaruar Haradinaj.
Sipas Haradinajt që tash është deputet në Kuvendin e Kosovës – iniciativa “Ballkani i Hapur”, është e mirë vetëm atëherë kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai edhe më parë ka pasur konfrontime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjithçka lindi pas një takimi që Rama e Haradinaj kishin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Për atë takim, Rama kishte thënë se “Macron i ofroi Haradinajt liberalizim vizash me kushtin që ta heq taksën ndaj Serbisë”. /Shqip.com