Lajme

Haradinaj – Kurtit: S’është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj, është fisnike me ditë me u tërheq

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj

Kreu u Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar Albin Kurtit të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të vendit.

Haradinaj ka marrë si shkas temat e fundit që kanë ndezur debat publik siç janë ajo e reduktimeve të energjisë elektrike, bartja e shamisë në shkolla dhe kriza ekonomike.

“Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq. Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin: Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë; Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Ai është shprehur se qeveria e ka dobësuar ekonominë dhe se po i dërgon bizneset drejt falimentimit.

“Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit. Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit. Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore. Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale. Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero”, shkroi Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në fund, Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe dialogun Kosovë-Serbi, duke e kritikuar për mënyrën se si po e udhëheq këtë proces.

“Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katstrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më”.

“Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit”, shkroi Haradinaj.

Qeveria Kurti ll është votuar më 22 mars 2021.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë./Shqip.com